Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se beson që raporti i shefit të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka përmbajtje pozitive dhe rekomandon heqjen e masave ndaj Kosovës të vendosura nga BE-ja.
Zv/kryeministri Bislimi, duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës tha se raporti i Borrellit, përpilimi i të cilit u kërkua nga vendet e BE-së në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur apo jo kushtet që Kosovës t'i hiqen masat ndëshkuese "ishte i gatshëm prej prillit, por, pati hezitime" për dorëzimin e tij.
"Në bazë të informatave që neve na kanë ardhur, raporti i Borrellit, i cili është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian, është përpiluar që në muajin prill, mirëpo ka pasur hezitime që i njëjti të dërgohet në Komision, për shkak se si duket ka ende individë brenda Komisionit të cilët kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat i kësaj ta dëmtojnë Kosovën", theksoi Bislimi.
Ai ka thënë se ky raport, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet, pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme, derisa vlerësoi se masat e BE-së në mënyrë indirekte kanë ndikuar në imazhin e Kosovës dhe integritetin e BE-së.
Megjithatë, ai theksoi se përkundër masave ndëshkuese, asnjë projekt i BE-së në vazhdim nuk është pezulluar. Sipas Bislimit, BE-ja i ka vendosur katër lloje të masave ndëshkuese, për të cilat “baza ligjore e tyre është shumë diskutabile".
"Këto përbëjnë pezullimin e trupave të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo grupeve punuese, është suspenduar puna në miratimin e fondeve për IPA 2024, janë pezulluar aprovimet e reja për projektet apo aplikimet tona në kornizën investive të Ballkanit Perëndimor dhe është thënë që Kosova nuk do të ftohet në takime të nivelit të lartë dhe nuk do të ketë vizita bilaterale. Tani, ju mund ta analizoni se në ç'masë janë respektuar këto ndalesa të BE-së kur dihet që ka pasur shumë takime të nivelit të lartë si bilateral ashtu edhe të nivelit multilateral", theksoi Bislimi.
BE-ja i vendosi masa Kosvoës në qershor të vitit 2023 pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, pas fillimit të punës së katër kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe./aa