Zëvendësministri i Jashtëm i Türkiyes, ambasadori Ahmet Yıldız ka bërë paraqitje në emër të vendit të tij në seancën dëgjimore mbi pasojat ligjore të pushtimit të Palestinës nga Izraeli në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë.

Duke potencuar se kërcënimet si islamofobia, antisemitizmi dhe ekstremizmi janë në rritje në mbarë botën, Yıldız tha se këto duhet të merren parasysh.

Yıldız vuri në dukje se nëse padrejtësitë dhe standardet e dyfishta ndaj të cilave palestinezët janë ekspozuar për dekada vazhdojnë, reagimet do të rriten në mënyrë eksponenciale. "Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për të gjitha veprimet që shkelin të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare", tha ai.

Duke theksuar në vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) se shtetet nuk duhet të njohin praninë e Izraelit në vendet e pushtuara jashtë kufijve të vitit 1967, Yıldız tha se ky vendim ende është i vlefshëm edhe pse disa shtete nuk e marrin në konsideratë.

Sipas tij, Türkiye kundërshton ndryshimin e statusit të Kudsit dhe Mesxhid-i Aksasë. "Türkiye dënon gjithashtu pengimin që muslimanët të falen lirshëm në Haram al-Sharif. Këto pengesa janë kundër statusit historik të Kudsit", shtoi Yildiz.

Ai theksoi se ruajtja e statusit të Kudsit dhe vendeve të shenjta është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe qetësinë e njerëzve që jetojnë atje, por edhe për ndjeshmërinë e miliarda njerëzve, ndërsa tha se shkeljet e Izraelit në Palestinë nuk kufizohen vetëm në Kuds, por se janë shkatërruar shtëpitë, janë konfiskuar tokat dhe se palestinezëve u janë shkelur të drejtat e njeriut.

Yildiz tha se Türkiye dënon fuqishëm dhe qartë sulmet kundër civilëve. Ai kujtoi se 2.3 milionë njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, po luftojnë për mbijetesë në mungesë të energjisë elektrike, ujit, ushqimit dhe ilaçeve.

"Veprimet e Izraelit në Gaza u shndërruan në ndëshkim kolektiv"

Zv.ministri turk rikujtoi se rreth 2 milionë palestinezë janë zhvendosur me fuqi nga Gaza. "Veprimet e Izraelit (në Gaza) u shndërruan në ndëshkim kolektiv", tha ai duke shtuar: "2023 ishte viti me dhunën më të madhe kundër palestinezëve në terrorin e kolonëve në Bregun Perëndimor".

Ai përsëriti rëndësinë që vendi i tij e jep për zgjidhjen me dy shtete.

Duke potencuar rezolutat përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, Yıldız tha se "Türkiye i kërkon GJND-së të deklarojë se veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Kudsin, janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare".

Ai kërkoi nga ata që kanë ndërgjegje dhe mirëkuptim se duhet të veprojnë pa humbur kohë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vendimin e marrë më 30 dhjetor 2022 i kërkoi mendimin e GJND-së lidhur me pasojat ligjore të pushtimit të Palestinës nga Izraeli që nga lufta në vitit 1967.

Edhe pse opinionet këshillimore të GJND-së nuk janë të detyrueshme, shumë shtete dhe organizata i marrin në konsideratë dhe kanë vepruar në përputhje me opinionin e dhënë./aa