Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi sot se zhvillimi i qyteteve krijon mundësi më të mira për të gjithë të rinjtë.

Mazniku ishte i pranishëm në panelin e diskutimit “Fuqizimi dhe pjesëmarrja e të rinjve në shoqëri”, aktivitet i mbajtur në kuadër të 1-vjetorit të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.
 

“Rinia nuk duhet trajtuar si e ardhmja, por si e tashmja. Duhet të kemi diskutime rreth çështjeve që rinia duhet të bëjë sot. Dhe angazhime që duhet të ndodhin sot, në fusha të ndryshme. Një pjesë shumë e madhe e sfidave që të rinjtë kanë sot, janë sfida urbane, sfida që lidhen me qytetin. Kur ne flasim për shance të barabarta, për t’ja dalë, besoj se një pjesë e sfidave që të rinjtë kanë sot, janë sfida që lidhen në një mënyrë ose në një tjetër me qytetin”, tha Mazniku.

Sipas tij, sfida jonë është krijimi i mundësive të barabarta edhe për ata të rinj që nuk kanë një mbështetje financiare nga familja.

“Tema e kohës janë start up-et. Nëse një djalë apo vajzë, pjesë e një familjeje me kushte të mira financiare apo rrjet shoqëror të njohur, e ka më lehtë të fillojë një start up. Ka një ide dhe mund të lidhet me një rrjet të caktuar për të pasur mundësi për të gjetur financim. Një i ri që nuk i ka këto e ka më të vështirë për të filluar një start-up. Ndaj dhe pasja e programeve të qendërzuara që mbështesin start up-et është jo thjeshtë një element për të shtuar start up-et, por për të krijuar mekanizmin e barazisë së mundësive për të zhvilluar idetë, pavarësisht se ]farë mundësie financiare kanë pas të rinjtë“, vijoi ministri Manziku.

Mazniku solli rastin e qendrës TUMO, për të cilën tha se në momentin që u ofruan mundësi pa pagesë për të rinjtë 12-18 vjeç, u pa një rritje e numrit të aplikimeve të të rinjve nga periferia e Tiranës.

“Ka gjasa të mira të përkthehet në mundësi më të mëdha për të gjitha këto grupe. Ne mund të krijojmë një shoqëri më të mirë, më të drejtë e të barabartë për të rinjtë, nëse ne krijojmë qytete më të mira”, shtoi Mazniku./ata