Këtë të hënë, 28 punonjës të shërbimit për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin nisën kursin 1-javor për gradën “kryezjarrfikës”.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Brendshme bëri të ditur se kursi po zhvillohet tek Akademia e Sigurisë.
“Kursi organizohet në bashkëpunim mes Drejtorisë së Trajnimit e Logjistikës në Drejtorinë e Përgjithshme për Mbrojtje nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe Kolegjit Profesional e Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë”, sqaron Ministria e Brendshme.
“Në të janë përfshirë 28 punonjës të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit nga njësitë vendore. Rritja në gradë u jep mundësinë e rritjes në pagë, përvetësimin e njohurive profesionale dhe të përgjithshme”, përfundon Ministria e Brendshme.
Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin është strukturë e specializuar e gatishmërisë së përhershme. Misioni i këtij shërbimi është inspektimi, parandalimi, me masat e mbrojtjes nga zjarri, ndërhyrja për shuarjen e zjarreve, shpëtimi i jetës, gjësë së gjallë, pronës, mjedisit, pyjeve dhe kullotave në aksidente të ndryshme, fatkeqësi natyrore, si dhe në ato të shkaktuara nga dora e njeriut./ata