Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu iu drejtua sot me një videomesazh Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, që u mbajt në Gjenevë.
“Në panelin mbi Praktikat e Mira të Sistemeve Mbështetëse që mundësojnë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në komunitet, theksova angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen dhe garantimin e zbatimit të të drejtave të kësaj kategorie në vendin tonë si dhe rritjen e përfshirjes së tyre në shoqëri, një prioritet ky i qeverisë shqiptare në përputhje me zbatimin e objektivave tona të axhendës 2030”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Koçiu u shpreh se “një tjetër rezultat i jashtëzakonshëm ka qenë zgjerimi i hartës së shërbimeve sociale, përmes rritjes së mbështetjes financiare nga mbështetja e Fondit Social për institucionet e pushtetit vendor”.
Shqipëria merr pjesë në këtë organizëm të rëndësishëm të OKB-së si vend anëtar me një mandat 3-vjeçar. Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut./ata