Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zbarkuar mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit.
Kreu i shtetit ukrainas është pritur nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani. Zelensky, vendi i të cilit ndodhet në luftë prej dy vitesh me Rusinë, zhvillon për herë të parë vizitën në Shqipëri në kuadër të një samiti për Ukrainën.
Ky samit i vendeve të Evropës Juglindore zhvillohet gjatë ditës së nesërme në Tiranë, ndërsa presidenti ukrainas pritet të zhvillojë fillimisht një takim me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë. Takimet zyrtare pritet të nisin rreth orës 09:00.
Pas pritjes, ai do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin, ndërsa do të zhvillohen dhe takime dypalëshe të delegacioneve.
Më pas do të firmoset dhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Në orën 11:00 do të mbërrijnë liderët e Ballkanit Perëndimor në Pallatin e Kongreseve.
Gjysmë orë më vonë do të nisë samiti. Në orën 13:00 do të realizohet fotoja familjare, ndërsa në 13:00 Rama dhe Zelensky do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për media.