Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla,  ka deklaruar në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, se Avokatin e Popullit mund ta propozojë opozita, por kandidatura duhet të jetë një figurë e larguar nga politika dhe që nuk ka qenë figurë PD-së gjatë viteve të fundit.

 

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se mazhoranca nuk do ta pranojë që Avokati i Popullit të jetë avokati i PD-së.

 

“Ne duam që Avokatin e Popullit ta propozojë opozita dhe asnjë deputet i PS nuk do përshihet në mbështetje me firma të një kandidati sikurse e përballon ligji dhe rregullorja. Avokati i Populllit nuk mund të jetë avokati i PD. Nuk mund të jetë një figurë e spikatur e PD brenda viteve të fundit”.

 

Më tej, Balla ka ftuar kreun e grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi që javën e ardhshme të ulen në takim bashkë me drejtuesit e Komisionit të Ligjeve për të diskutuar për kandidaturat për Avokatin e Popullit.

 

“Të ulemi gjatë javës së ardhshme bashkë me drejtuesit e Komisionit të Ligjeve në mënyrë që të bëjmë një verifikim të kandidaturave që kemi përballë dhe të fillojmë të shkojmë drejt një grupi 3-4 kandidaturash që mund të jenë kandidaturat që marrin më shumë konsensus. Dhe pastaj secili prej nesh në grupet parlamentare të kërkojë mbështetjen. Ky është një model që duhet konsoliduar. Ne të shkojmë drejt një kandidature që ju mund të keni të drejtën për të propozuar, por as tradita parlamentare dhe as Kushtetuta nuk ja u ka thënë që ju keni të drejtën të emëroni Avokatin e Popullit. Mendoj që duke qenë se javën e ardhshme kemi javë pa angazhime të mëdha ta shfrytëzojmë kohën në dispozicion”, u shpreh Taulant Balla.