Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar nga qeveria draftligji për disa ndryshime në ligjin për “Prefektin e Qarkut”, të cilat synojnë forcimin e rolit të prefektit në sigurinë e rajoneve që përfaqësojnë, duke krijuar dhe ato që do të quhen këshillat vendorë të sigurisë publike.

Ndryshimet ligjore të paraqitura nga Ministria e Brendshme kanë në total 10 nene, të cilat rregullojnë marrëdhëniet mes bashkive, prefektit dhe Këshillit të Ministrave. Ndryshimi i parë ligjor lidhet me bashkitë, të cilat sipas draftit të propozuar nga qeveria do të nxjerrin akte normative, të cilave prefekti i qarkut iu verifikon ligjshmërinë, por pa penguar zbatimin e tyre dhe këto akte do të kenë shtrirje të vazhdueshme.

Së dyti, me ndryshimet ligjore përcaktohet se, me propozimin e prefektit të qarkut ngrihen pranë bashkive këshillat vendorë të sigurisë publike (KVSP) për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike në komunitet. Po ashtu prefekti do të ketë tagër shqyrtimin e problematikave për sigurinë publike në komunitet, të identifikuara nga këto Këshilla Vendorë të Sigurisë Publike.

Po ashtu përmes këtij draftligji i çelet rruga krijimit dhe funksionimit të Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet (KKSK). Përbërja, rregullat më të hollësishme të organizimit dhe funksionimit të KVSP-së dhe KKSK-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Konkretisht, në draftligj saktësohet se: “Me propozimin e prefektit të qarkut pranë njësive të vetëqeverisjes vendore ngrihen këshillat vendorë të sigurisë publike (KVSP) për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike në komunitet. Për shqyrtimin e problematikave për sigurinë publike në komunitet, të identifikuara nga KVSP-ja, krijohet dhe funksionon Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Komunitet (KKSK). Përbërja, rregullat më të hollësishme të organizimit dhe funksionimit të këshillave vendorë të sigurisë publike (KVSP) dhe të Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet (KKSK) përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Sipas projektligjit, në raste të veçanta, në përputhje me legjislacionin përkatës, prefekti i drejtohet ministrit të Mbrojtjes për angazhimin e njësive të Forcave të Armatosura dhe kërkon mbështetje për përballimin e detyrave me karakter civil dhe në veçanti në përballimin e situatave të emergjencave civile e të krizave. Prefekti i qarkut i drejton kërkesë për mbështetje Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sipas kërkesës së bërë nga bashkitë. Dhe sipas ndryshimeve ligjore, prefekti i qarkut koordinon në nivel qarku veprimet në terren të njësive të Forcave të Armatosura, të cilat angazhohen, bazuar në deklarimet në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile, me qëllim realizimin e detyrave me karakter civil, që u ngarkohen sipas legjislacionit në fuqi.

Është parashikuar edhe zëvendësimi i prefektit nga nënprefekti, sipas Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu në draftligj, shtohen kriteret për emërimin e prefektit. Sipas propozimit, shtetasi që emërohet prefekt nuk duhet të jetë larguar nga detyra ose t’i jetë hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, si dhe nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi.

Në ndryshimet e paraqitura, Prefektit i shtohen detyrat. Fillimisht prefektit i shtohet tagri për përcjelljen e kërkesës së arsyetuar për fillimin e inspektimit pranë institucioneve, të ngarkuara me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Po ashtu atij i jepet e drejta për ndërmarrjen e nismave dhe propozimeve për dhënien e titujve të nderit për persona me kontribut të veçantë në qark, sipas legjislacionit në fuqi./ata