Numri i të porsalindurve në Japoni në vitin 2023 ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëhere.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies së Japonisë, numri i lindjeve në vitin 2023 është ulur me 5,1 për qind krahasuar me një vit më parë, duke rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë, me 758.631 të porsalindur.
Numri i të porsalindurve kishte arritur nivelin më të lartë me 2,69 milionë në vitin 1949. Ai ishte 2,09 milionë në 1973 dhe 1,5 milion në 1983.
Kjo shifër ra nën 1 milion për herë të parë në vitin 2016.
Instituti Kombëtar i Kërkimeve për Popullsinë dhe Sigurimet Shoqërore parashikoi se numri i të porsalindurve do të binte nën 760 mijë në vitin 2035. Parashikimi u realizua 12 vjet më herët se sa pritej.
Numri i martesave të regjistruara në Japoni në vitin 2023 ka rënë nën 500 mijë për herë të parë në 90 vitet e fundit, duke u ulur me 5,9 për qind në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë, konkretisht në 489.281 martesa. Shifra paraqet nivelin më të ulët pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas statistikave të mbajtura në vend që nga viti 1899, për herë të fundit në vitin 1933 janë regjistruar 486.058 martesa.
Numri më i madh i martesave është regjistruar në vitin 1972, me 1.099.984.
Numri i divorceve në vend në vitin 2023 është rritur me 4.695, për të arritur në 187.798./aa