Në fillim të javës prokurori i Qarkut të Manhatanit ngriti një aktpadi ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump lidhur me 34 akuza, përfshirë falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork për të fshehur rolin e tij në pagesën e bërë një aktoreje të filmave pornografikë përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, njofton se si akuza e paprecedentë mund të krijojë pasiguri të reja në garën presidenciale të vitit 2024.

 

Në historinë amerikane një ish-president nuk është përballur asnjëherë me akuza penale, aq më pak një që po garon sërish për Shtëpinë e Bardhë.

 

“Kjo është një fyerje për vendin tonë ndërsa bota tashmë po qesh me ne”, tha zoti Donald Trump.

 

Ish-Presidenti Donald Trump u akuzua këtë javë për falsifikimin e të dhënave të biznesit në Nju Jork për të fshehur rolin e tij në pagesën e bërë një aktoreje të filmave pornografik, përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

 

Që nga shpallja e aktakuzës, zoti Trump grumbulloi rreth 12 milionë dollarë donacione për fushatën, duke sugjeruar se akuzat penale mund të jenë të dobishme për të, të paktën në afat të shkurtër.

 

“Kjo me të vërtetë krijon një atmosferë viktimizimi rreth tij, gjë që republikanët e kanë bërë kohët e fundit shenjë dalluese të partisë së tyre dhe një shenjë dalluese të strategjisë së tyre zgjedhore”, thotë këshilltarja politike, Julie Roginsky.

 

Pas ngritjes së akuzës, sondazhet tregojnë se zoti Trump po zgjeron avantazhin ndaj sfiduesit të mundshëm republikan, guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis.

 

Nëse ai shpallet si kandidat i republikanëve, në nëntor të vitit 2024 zoti Donald Trump ka të ngjarë të përballet me Presidentin Joe Biden, duke përsëritur përballjen e zgjedhjeve të vitit 2020. Ky vlerësohet si një lajm i mirë për zotin Biden pasi ka të ngjarë që kjo të nxisë bazën demokrate dhe shumicën e votuesve të pavarur.

 

“Zoti Biden është lloji i kandidatit që nuk mund të sigurojë miliona vota për shkak të personalitetit të tij. Ai mund t’i mbledhë ato miliona vota sepse votuesit nuk mund ta durojnë alternativën”, thotë Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias.

 

Zoti Trump do të dalë para gjykatësit në dhjetor. Nëse ai shpallet fajtor dhe i fiton zgjedhjet, nuk ka asgjë në Kushtetutë që do ta ndalonte atë të bëhet sërish president i Shteteve të Bashkuara.

 

Ndërsa nuk ka gjasa që zoti Trump të dënohet me burg në rastin e Nju Jorkiut, hetimet e tjera, përfshirë rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, mund të çojnë në akuza më të rënda dhe burgim të mundshëm.

 

“Nuk e di se si dikush mund të jetë efektiv si president i Shteteve të Bashkuara ndërsa është në një qeli burgu. Por, nuk ka asgjë në Kushtetutë që do ta pengonte dikë të jetë president i Shteteve të Bashkuara dhe të burgoset në të njëjtën kohë”, thotë Richard Pierce, profesor në Universitetin George Washington.

 

Zgjedhjet në Amerikë nuk vendosen vetëm nga personaliteti që gëzon kandidati. Përveç ekonomisë, e cila po duket gjithnjë e më pozitive për Presidentin Biden, ka edhe çështje tjera me rëndësi që i motivojnë votuesit amerikanë.

 

“Çështje si emigracioni dhe krimi, të cilat janë shumë të rëndësishme për republikanët, e motivojnë bazën e tyre. Çështjet si barazia sociale, të drejtat riprodhuese të grave, demokracia e sigurt, janë çështje që motivojnë demokratët. Ne i pamë këto çështje që motivonin votuesit në zgjedhjet e mesmandatit dhe presim t’i shohim edhe në vitin 2024”, thotë Clifford Young nga organizata IPSOS, e cila realizon sondazhe.

 

Presidenti Biden nuk ka njoftuar zyrtarisht se do të kandidojë për rizgjedhje. Ai ka të ngjarë ta bëjë këtë kur në qendër të vëmendjes të mos jetë zoti Donald Trump./VOA