Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi sot një padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin e dy neneve që lidhen me taksimin progresiv të profesioneve të lira, parashikuar në ligjin “Për tatimin  mbi të ardhurat”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila depozitoi padinë në Gjykatën Kushtetuese theksoi se tatimi mbi profesionet e lira është i padrejtë dhe se prek shtresën e mesme të popullsisë.

“Besoj se është një shenjë që grupi parlamentar i PD-së dhe individët e Komisionit të Ekonomisë janë të shqetësuar për të mirën publike, për dëmin që po shkakton në këtë shtresë të caktuar të popullsisë dhe janë të shqetësuar sepse sot buxheti i shtetit është kthyer në një listë favoresh”, tha Tabaku, në një prononcim për mediet, pas depozitimit të padisë.

Ajo i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të ngrihet në nivelin që i takon dhe të japë një vendim në të mirën publike.

“Shpresoj shumë që Gjykatat Kushtetuese të ngrihet në nivelin që i takon, dhe të mos caktoj precedentë që janë të rrezikshme për besueshmërinë e saj, e të jap një vendim në të mirë publike, që në këtë rast shkon me shtresën e mesme. I bëj thirrje kujtdo që do t’i bashkohet kësaj padie si palë, që është i interesuar të jap mendimin e vet, nga institucioni i avokatit të popullit, e institucionet e tjera, që duan t’i bashkohen kësaj nisme të grupit parlamentar të PD. Ne besojmë tek forca që kanë institucionet dhe tek ligji, shpresojmë që Gjykata Kushtetuese të mos zhgënjejë ato që besojnë të institucionet”, tha ajo.

Nga data 1 janar nisi zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore./ata