Forcimi i Sistemit Kombëtar për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë, është në fokus të marrëveshjes së financimit të nënshkruar këtë të mërkurë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe UNDP Albania.
Sipas një njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, theksohet se synimi i marrëveshjes është rritja e kapaciteve të mbrojtjes civile në të gjithë vendin, përmes trajnimit të stafit, përgatitjes për emergjencat civile dhe ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të mbrojtjes civile.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka nënshkruar një marrëveshje financimi me UNDP Albania , që synon forcimin e burimeve financiare të programit “RESEAL- Forcimi i aftësive ripërtëritëse” dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të sistemit kombëtar për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile”, bëhet me dije në njoftim.
Në njoftim citohen edhe dy zyrtarët nënshkrues të marrëveshjes. “Ky financim i qeverisë shqiptare është një dëshmi e qartë e angazhimit tonë për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt dhe të përgatitur për çdo sfidë.”, u shpreh Haki Çako, Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së.
Monica Merino, përfaqësuese e përhershme e PNUD-it, theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara drejt forcimit të aftësive mbrojtëse nga fatkeqësitë, falë punës dhe impenjimit të të gjithë strukturave të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
“Vijueshmëria e këtij partneriteti strategjik synon të rrisë më tej kapacitetet e mbrojtjes civile në të gjithë vendin, përmes trajnimit të stafit, përgatitjes për emergjencat civile dhe ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të mbrojtjes civile. Projekti “Forcimi i aftësive ripërtëritëse në Shqipëri- RESEAL”, i mbështetur financiarisht nga qeveritë e Suedisë dhe Portugalisë, ka nisur që prej vitit 2020”, përfundon njoftimi./ata