Si pjesë e Panairit të Librit në Leipzig, i cili këtë vit mbahet nga 21-24 mars, do të jetë edhe libri “Mbyllur për pushime” me autor Stefan Çapalikun. I përkthyer në gjuhën gjermane nën titullin “Tirana. Ein kurzer Traum”, libri do të diskutohet më 22 mars, në Traduki Kafana dhe biseda do të moderohet nga Shqipe Sulejmani.

Vepra e Çapalikut, përkthyer nga shqipja në gjermanisht prej Zuzana Finger, është pjesë e projektit Traduki, projekt i cili me anë të librave, përkthimeve dhe projekteve letrare, lidh Europën Juglindore me letërsinë e vendeve gjermanishtfolëse, si dhe letërsinë e vendeve të Europës Juglindore mes njëri-tjetrit.

Prezantimi  në Panairin e Leipzig-ut, një nga panairet më të mëdha të librit, është ngjarje me rëndësi. Libri i Stefan Çapalikut trajton Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore: Së pari pushtimi nga Italia fashiste, një tronditje për shqiptarët, sepse marrëdhëniet e tyre me shtetin fqinj kishin qenë mjaft miqësore prej shekujsh. Më pas 1943: Italia mban anën e aleatëve, ushtarët italianë ikin ose bashkohen me partizanët shqiptarë. Ata luftojnë kundër pushtuesit gjerman si dhe marrin pjesë në fshehjen dhe shpëtimin e hebrenjve nga gjermanët.

Prej vitit 1994, Panairi i Leizig-ut ndan dhe vlerësime për pjesëmarrësit. Çmimi i Librit Leipzig për Kuptimin Evropian është një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë në Gjermani. Ai jepet çdo vit me vlerën prej 20,000 eurosh./ata