Programi i kodimit, me financim nga qeveria shqiptare, ka ngjallur interes tek të rinjtë.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bëri të ditur se 1200 persona janë regjistruar përgjatë vitit 2023 për të ndjekur Programin e Kodimit.
Ky programi i ndihmon të rinjtë ta orientojnë karrierën e tyre në profile të sigurta për të ardhmen në tregun e punës.
Programi i Kodimit, i njohur ndryshe edhe si Programi i Formimit Profesional, po zbatohet për herë të parë dhe i shërben vizionit afatgjatë që Shqipëria të arrijë potencialin e plotë të digjitalizimit dhe të përgatiten të rinj të aftë, të grupmoshës 16-35 vjeç, që edhe pa përvojë në shkenca kompjuterike, të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike, me një kosto relativisht të ulët.
Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100 %.
Programi i Kodimit, përveç subvencionimit, do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve dhe tregut të punës, si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.
Këtë vit, qeveria shqiptare ka përfshirë në listën e programeve të formimit profesional që mund të përfitojnë mbështetje financiare edhe “Programimin”.
Në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare, janë zbardhur fushat që do të mbështeten financiarisht nga qeveria, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale. Ato zgjasin nga 3-6 muaj./ata