Strukturat akomoduese në vend që presin turistë duhet të jenë të licencuara, pavarësisht numrit të dhomave që kanë.
Komisioni parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi diskutimin e ndryshimeve në ligjin “Për turizmin”, i cili ka për qëllim të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik, tërheqës, autentik për vizitorët, duke mbështetur kështu zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.
Ndryshimet e propozuara kanë për qëllim të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve nëpërmjet rritjes në vazhdimësi të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në sektorin e turizmit në një mjedis të shëndetshëm e të sigurt dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse.
“Ndryshimet janë orientuar drejt lehtësimit të procedurave të ushtrimit të veprimtarive turistike, me qëllim krijimin e një klime miqësore me biznesin, pa cenuar standardet e ofrimit të shërbimit”, theksoi zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello në fjalën e saj.
Bello më tej tha se përmes këtij projektligji synohet edhe formalizimi i sektorit.
“Rishikimi i këtij ligji ka ardhur si rezultat i evidentimit të një sërë problematikash, që janë operimi si struktura akomoduese në mënyrë informale i dhomave, apartamenteve, apo vilave, duke cenuar drejtpërdrejtë konkurrencën me subjektet formale, por edhe cilësinë e shërbimit”, u shpreh Bello.
Pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, këto struktura duhet të aplikojnë për të marrë certifikatën e kategorizimit, në të kundërt gjobiten nga 20 mijë lekë deri në 400 mijë lekë, në varësi të numrit të dhomave.
Zëvendësministrja e Turizmit, dha në komision shifra mbi numrin e strukturave që ushtrojnë aktivitetin në paligjshmëri.
“Ne e kemi një informacion të tillë, si struktura në total aktualisht janë 4556, nga të cilat në Tiranë janë 1294 dhe këto janë të paformalizuar. Nga të dhënat që vijnë nga AirBNB, janë 3000 apartamente të pacertifikuara dhe standardizuara. Ndërsa si struktura të kategorizuara janë 1500”, tha zëvendësministrja e Turizmit.
Në projektligj parashikohet edhe regjistrimi elektronik i klientëve me të dhënat mbi, netët e qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, me synim pasjen e një panorame të plotë mbi turizmin në vend.
Kur të dhënat deklarohen të pasakta subjekti gjobitet me 100 mijë lekë, ndërsa gjoba është 150 mijë lekë kur nuk deklarohet numri i saktë i pushuesve.
Parashikohet të ketë kosto të shtuara për bizneset, që ushtrojnë veprimtari
turistike për shkak të detyrimit për kontratën e sigurimit, kosto, e cila llogaritet të
arrijë vlerën 6 milionë lekë në vitin e parë, pas miratimit të ligjit, pra, në total,
parashikohet që kostot të jenë në vlerën 6 milionë lekë.
Gjithashtu, parashikohet të sjellë të ardhura buxhetore, të cilat do të sigurohen
nëpërmjet masave të reja administrative, që nuk ishin parashikuar në ligjin
ekzistues. Rritja vlerësohet në masën 10-15%, në krahasim me vitin 2023.
Këto ndryshime pritet të ulin informalitetin në sektor, pasi nga 10.1 milionë të huaj që erdhën në vend, në strukturat akomoduese të regjistruara fjetën sipas shifrave vetëm 1.4 milionë të huaj.
Aktualisht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur diskutimet për Strategjinë e re të Turizmit deri në vitin 2030, ku në fokus do të jetë turisti elitar dhe jo rritja e shifrave./ata