Grupi Vullnetar Parlamentar për Popullsinë dhe Zhvillimin i mbështetur nga Qendra për Popullsi dhe Zhvillim, ACPD.al pjesë e rrjetit EPF, organizoi aktivitete sensibilizuese në qytetin e Fierit me në fokus çështjet për vaksinimin kundër HPV, shëndetin riprodhues dhe moshimin.

Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj, kryetarja e Grupit Vullnetar Parlamentar për Popullsinë dhe Zhvillimin, Klodiana Spahiu, anëtare e këtij grupi, Ilda Dhori dhe Elona Gjebrea, drejtore e Qendrës Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim.

Në shkollën “Andon Xoxa” në Fier, anëtarët e këtij grupi diskutuan me nxënëset e klasave të 9-ta për rëndësinë e vaksinës që mbron nga kanceri i qafës së mitrës. Një pjesë e vajzave ishin të vaksinuara ndërkohë që informacioni i përshtatur për moshën e tyre, dhe pyetjet e ngritura, treguan dhe njëherë rëndësinë e betejës për jetën nga shumë fronte.

Takimin e radhës grupi e zhvilloi në Qendrën Shëndetësore Nr.3 Fier, ku stafi mjekësor ishte tërësisht i angazhuar në këtë fushatë vaksinimi kundër virusit të Papillomës Humane (HPV) që tashmë përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit dhe ofrohet falas duke nisur me vajzat e lindura në 2019.

Grupi Vullnetar Parlamentar për Popullsinë dhe Zhvillimin, vijoi më tej me një vizitë në Qendrën ditore për të moshuar Fier, ku së bashku me drejtoreshën e kësaj qendre u diskutua mbi angazhimin që ky grup mund të ndërmarrë në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve.

Takimit të Grupit Vullnetar Parlamentar për Popullsinë dhe Zhvillimin në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, me gratë dhe vajzat police të kësaj drejtorie, ju bashkua dhe Sekretarja e Komisionit të Sigurisë, Antoneta Dhima. Gjatë kësaj vizite u diskutua për shëndetin, për ekzaminimet në kohë, për sëmundjet që vrasin më shumë gra, si kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës, si dhe u dhuruan disa teste HPV falë ACPD, dhe u premtua një ndihmë tjetër për to, përfshirë dhe gratë pa uniformë, por që punojnë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.

Në përfundim të takimeve në terren, Grupi Vullnetar Parlamentar për Popullsinë dhe Zhvillimin, zhvilloi edhe një takim me drejtuesit dhe stafin mjekësor të Spitalit Rajonal Memorial Fier ku u diskutua për çështjet më të rëndësishme./ata