Mbi pallatet e vjetër të rajonit 1 në qytetin e Beratit, përveç rehabilitimit, në një prej tyre është thuajse gati muralja më e re.
Kryetari bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale pamje nga puna për ndërtimin e murales, e cila po realizohet nga artisti Kristian Zara.
“Në muralen e re gjendet një nga figurat kryesore të Beratit, Onufri, e bashkë me të edhe dritaret një mbi një e ndërtesat karakteristike, të gjitha krijuar në një kompozim abstrakt.E bukur për t`u parë, por edhe për t`u rrëfyer”, theksoi Demo.
Demo tha se “muralet, ku shkrihet arti, tradita, arkitektura dhe ngjyrat, janë pikë ndalese më shumë për turistët e qytetit”.
Vitin e kaluar në një pallat pranë shëtitores u pikturua muralja Kalaja, motra e cila përjetoi zënkën e vëllezërve, Shpiragut me Tomorin, lotët e së cilës krijuan lumin Osum.
Muralet janë kthyer në atraksionin më të ri turistik në disa qytete të vendit, ku syri kureshtar i qytetarëve mahnitet nga ngjyrat, ndërthurja e elementëve dhe sidomos nga mesazhet që transmeton ky art./ata