Një grup studentësh të Fakultetit të Edukimit nga Universiteti i Durrësit janë ngjitur në skenë për të sjellë në jetë, përrallën “Mbreti gjumash”, si një iniciativë novatore, që bashkon krijimtarinë me pedagogjinë.
Shfaqja me autor Jeton Nezirajn, nuk ishte vetëm një spektakël teatror, por edhe një mjet për të përcjellë mesazhe të fuqishme.
“‘Mbreti gjumash’ është ajo pjesë teatrale që besoj se i nevojitet momentit në të cilën ndodhet shoqëria e qytetit të Durrësit, por edhe gjithë Shqipërisë.
Ka në përmbajtjen e saj 3 mesazhe kryesore. Mesazhi i parë është që fëmijët nuk duhet t’i lëmë përpara televizorit, përpara ekraneve, të cilat në njëfarë mënyre po i tërheqin fëmijët në një botë që është totalisht virtuale”, tha pedagogia Alma Dema.
“Së dyti i bëhet një lloj apeli prindërve, që i lënë fëmijët vetëm dhe nuk bëjnë një fëmijë të dytë. Socializimi, aftësia që fëmija duhet të zgjojë për të luajtur dhe qeshur me njëri-tjetrin.
Dhe së treti, i bëjmë një lloj apeli institucioneve, të cilët duhet t’u krijojnë më shumë mundësi fëmijëve për t’u socializuar. Të krijojnë më shumë parqe e aktivitete”, tha më tej Dema.
Nëpërmjet fuqisë së tregimit dhe performancës, shfaqja solli një qasje të re edhe në edukimin e mësuesve të rinj.
“Kjo pjesë teatrale del në siglën e Departamentit të Letërsisë pranë FE në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ dhe është në kontekstin e ndërthurjes së teorisë me praktikën. Për të thënë që fakulteti i Edukimit dhe dega ‘Mësues për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë’ nuk nxjerr vetëm teoricienë të mirë, pra që rrahin krah teorisë, sepse janë mësues të ardhshëm dhe realitetin duhet ta prekin së pari ato”, tha pedagogia Alma Dema.
Interesi i madh i artdashësit durrsak bëri që shfaqja të vihej në skenë për 2 herë me rradhë dhe shoqërohej nga duartrokitjet./EuroNews