Komisari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, paralajmëroi sot se sulmi izraelit në Rafah nuk do të ishte në përputhje me masat e përkohshme detyruese të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kundër Tel Avivit, duke u bërë thirrje të gjitha shteteve të bëjnë “çdo gjë në fuqinë e tyre për të shmangur një rezultat të tillë”.

Komentet e Turk erdhën gjatë fjalimit të tij në Dialogun Interaktiv mbi situatën e të drejtave të njeriut në Territorin Palestinez të Pushtuar nën sesionin e 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.

“Perspektiva e një sulmi tokësor izraelit në Rafah do ta çonte makthin që iu shkaktua njerëzve në Gaza në një dimension të ri. Mbi 1,5 milion njerëz janë strehuar në Rafah, pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme, dhe ai është bërë qendra e ndihmës humanitare e Gazës”, tha Turk.

Ai paralajmëroi se një sulm i tillë tokësor do të shkaktonte potencialisht “humbje masive të jetëve, rrezik shtesë të krimeve mizore, zhvendosje të reja, në një shpërndarje tjetër të pasigurt të vendndodhjes, dhe do të nënkuptonte urdhër vdekjeje për çdo shpresë për ndihmë efektive humanitare”.

“Nga ana ime, unë nuk arrij të shoh se si një operacion i tillë mund të jetë në përputhje me masat e përkohshme detyruese të nxjerra nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha ai dhe shtoi: “Unë u bëj thirrje të gjitha shteteve me ndikim të bëjnë gjithçka brenda fuqisë së tyre për të shmangur një rezultat të tillë”.

“Lufta në Gaza duhet të përfundojë”, kërkoi ai, duke vënë në dukje se “shkelje të qarta të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe ligjeve humanitare, duke përfshirë krime të luftës dhe ndoshta krime të tjera sipas ligjit ndërkombëtar, janë kryer nga të gjitha palët”.

Për një paqe në territorin e pushtuar palestinez dhe Izrael, shefi i të drejtave të njeriut theksoi se “pushtimi duhet të përfundojë”.

“Udhëheqësit izraelitë duhet të pranojnë të drejtën e palestinezëve për të jetuar në një shtet të pavarur. Dhe të gjitha fraksionet palestineze duhet të pranojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri”, shtoi Turk.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori dhe mbi 70.000 të tjerë janë plagosur, krahas shkatërrimit në masë dhe mungesës së gjërave elementare.

Lufta izraelite ka çuar gjithashtu në zhvendosje dhe shkatërrim masiv dhe ka krijuar kushte urie në Rripin e Gazës.​/aa