Policia e Koresë së Jugut kreu të premten bastisje në zyrat e shoqatës së mjekëve pas skadimit të afatit të qeverisë për rifillimin e punës të enjten, pas protestave masive të cilat shkaktuan krizë në sistemin e shëndetësisë, njoftuan mediat lokale.

Mjekët protestojnë kundër planit të qeverisë për rritjen e numrit të mjekëve për të zgjidhur problemin e mungesës së mjekëve, veçanërisht në zonat rurale dhe degët thelbësore mjekësore si operacionet me rrezik të lartë, pediatri, obstetrikë dhe mjekësi urgjente. Megjithatë, mjekët kërkojnë që qeveria të fokusohet në përmirësimin e kompensimit për të nxitur më shumë mjekë të praktikojnë në zona të tilla jopopullore.

Policia bastisi disa zyra të Shoqatës Mjekësore Koreane, grupi më i madh i mjekëve në vend, lidhur me padinë e Ministrisë së Shëndetësisë, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap me bazë në Seul.

Ministria e Shëndetësisë paraqiti kallëzim penal kundër shefit të komitetit të urgjencës të shoqatës, Kim Taek-woo dhe katër ish-drejtues të tjerë, duke i akuzuar ata për nxitjen e dorëheqjeve dhe protestave masive të mjekëve praktikantë.

Megjithatë, nuk ka patur raportime për arrestimin e ndonjë drejtuesi të shoqatës së mjekëve. Zhvillimi i fundit erdhi pasi afati i qeverisë për të rifilluar punën e mjekëve protestues përfundoi të enjten. Qeveria paralajmëroi se do të merrte masa, përfshirë anulimin e licencave të tyre, në rast se mjekët nuk do të rifillonin punën.

Por, shumica e mjekëve praktikantë, të cilët u larguan nga puna për të protestuar kundër politikës së qeverisë, nuk treguan shenja të kthimit në punë, sipas agjencisë. Koreja e Jugut ka rreth 13 mijë mjekë praktikantë. Qeveria dëshiron të shtojë 2.000 vende të tjera me 3.058 studentë që do të regjistrohen çdo vit./aa