Hamasi deklaroi se Izraeli përcolli "mashtrim dhe informacion të rremë" lidhur me vrasjen e 112 palestinezëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve duke hapur zjarr ndaj palestinezëve që prisnin për ndihmë humanitare në kryqëzimin Nablusi në veri të Gazës.

Në deklaratën me shkrim nga Hamasi lidhur me sulmin thuhet: "Ushtria sioniste po tregon një histori të parëndësishme për të legjitimuar vrasjen sistematike të popullit tonë dhe për të përcjellë mashtrim dhe informacion të rremë për masakrën e tmerrshme që ka kryer".

Duke vënë në dukje se ushtria izraelite ka përdorur gjerësisht "dezinformata dhe gënjeshtra" që kur nisi luftën gjenocidale kundër popullit palestinez, i bëhet thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe të gjitha institucioneve të të drejtave të njeriut që "të dokumentojnë këtë krim të tmerrshëm dhe të mbajnë përgjegjës këtë subjekt mashtrues e pushtues për krimet dhe shkeljet që ka kryer".

Dje ushtria izraelite vuri në shënjestër palestinezët që prisnin ndihmë humanitare në kryqëzimin Nablusi në rrugën Rashid, në jug të qytetit të Gazës, që lidh Rripin e Gazës nga veriu në jug, duke bombarduar dhe hapur zjarr. Të paktën 112 palestinezë u vranë dhe 760 u plagosën në sulm.

Burimet izraelite të sigurisë pretendojnë se palestinezët që rrethuan kamionët e ndihmave "u afruan për të kërcënuar" ushtarët izraelitë që po lejonin kalimin e kamionëve dhe se ai pranoi se ushtarët izraelitë iu përgjigjën situatës duke hapur zjarr.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 30.035 palestinezë, përfshirë të paktën 13.230 fëmijë dhe 8.860 gra ndërsa 70.457 u plagosën. Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar./aa