Nga sot funksionon tregu i vetëm i punës në Ballkan, anëtarë të të cilit janë Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, që do të thotë se të gjithë qytetarët do të mund të punësohen në cilindo nga vendet e iniciativës duke ndjekur procedurën më të thjeshtë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Përparësitë e lëvizjes së lirë të punëtorëve në rajon, pa asnjë pengesë administrative, janë të shumëfishta, duke filluar nga mundësia e kryerjes së punëve sezonale, përmes uljes së deficitit të profesioneve dhe forcimit të besimit të investitorëve e deri te rritja e sektorëve kyç në ekonomi.

Aksesi i lirë në tregun e punës prej rreth 11 milionë banorësh pritet të parandalojë ikjen e mëtejshme të trurit dhe të rinjve nga rajoni duke ofruar mundësi punësimi, por edhe për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për personel cilësor, si nga kompanitë vendase ashtu edhe ato ndërkombëtare që operojnë në rajon.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë që duan të punësohen në një nga anëtarët e Ballkanit të Hapur ose kanë gjetur punëdhënës, duhet të kenë një numër ID, për të cilin mund të regjistrohen në mënyrë elektronike në disa hapa.

 

Kjo do të thotë se ata duhet të plotësojnë një formular në platformën (eAdministrata) dhe të bashkëngjitni një dokument të vlefshëm biometrik. Në bazë të të dhënave të paraqitura, autoritetet kompetente gjenerojnë një numër unik identifikimi të Ballkanit të Hapur (IDOB) përmes platformës eAdministrata.