Kontakti i një vinçi me tensionin e lartë ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm në një magazinë në zonën e Lushnjës, duke lënë pas dy të vdekur dhe shtatë të plagosur, përfshirë deputetin e Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Vinçi që po kryente punime ku ka rënë në kontakt me tensionin e lartë 20 mijë volt dhe për këtë shkak ka ndodhur edhe shpërthimi i fuqishëm, nga ku ka humbur jetën manovratori i vinçit, shtetasi Landi Verçani si dhe djali i tij, 20-vjeçar.
Viktima rreth 20 vjeç, ka qenë pranë të atit, në momentin e shpërthimit. Ata kanë qenë të dy në vinç, kur ka ndodhur ngjarja e rëndë. I riu ka ndërruar jetë në ambulancë ndërsa transportohej në drejtim të Spitalit të Traumës.
“Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit”, sqaroi policia.