Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Irlandë, ka takuar kryeministrin e këtij vendi, Leo Varadkar.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, temat qendrore të këtij takimi ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, tregtisë e teknologjisë dhe zhvillimet rajonale, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

“Duke u shprehur falënderues për mikpritjen që ka pranuar në Dublin dhe për mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin irlandez Varadkar me zhvillimet e fundit në vend, progresin e shënuar deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë”, thuhet në njoftim.

Kurti po ashtu e falënderoi homologun irlandez për “përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”.

Ky ishte takimi i dytë i Kurtit me Varadkar, pas atij që u zhvillua në Prishtinë gjatë muajit janar të këtij viti./aa