Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, Xhemal Naipin, myfti dhe kryetari i parë Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, i persekutuar nga regjimi komunist.
Xhemal Naipi lindi më 1 mars 1889, në Shkodër, në një familje të vjetër e të njohur qytetare, e përmendur për ushtrimin e detyrës së kadinjve (gjyqtarëve) në kohët e Perandorisë Osmane. Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në vendlindje, kurse studimet e larta i ndoqi dhe i përfundoi në Stamboll në dy degë: në teologji dhe jurisprudencë, duke i qëndruar traditës familjare.
Në vitet 1913 – 1916 qe kadi, kohë kur edhe qe kryetar i komisionit të arsimit të Shkodrës, hapi tri shkolla fillore që mbaheshin me fondet e Bashkisë. Më 1916 nga fusha e arsimit emërohet drejtor i përgjithshëm i Vakufeve, hera e parë kur ky institucion përshtatej me një realitet nacional tashmë.
Ndihmoi pa u kursyer Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, e reflektuar kjo nga letra e 22 shkurtit 1920 që Komiteti i dërgon nga Tirana nënshkruar nga Hoxhë Kadria.
Në pranverën e vitit 1920, ushtroi funksionet e Kryetarit të Këshillit Kombëtar (Senatit), të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Gjatë kohës së Mbretërisë, u zgjodh deputet i Shkodrës në Legjislaturën III (10 shkurt 1937-prill 1939).
Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, qëndroi i fshehur gjer më 1946. Gjatë viteve 1945-1946, iu konfiskua pasuria, kurse familja iu internua në Berat. U dorëzua me shpalljen e amnistisë. U arrestua më 7 tetor 1946, dhe me vendim nr. 218, datë 23 qershor 1947, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor për «pjesëmarrje në organizatë e cila ushtronte aktivitet kundër pushtetit popullor» dhe për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit», dhe e dënoi me burgim të përjetshëm me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile-politike për jetë dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme e të patundshme. Njohu shumë prej kampeve të punës së detyruar në të gjithë vendin.
Vdiq në vitin 1955, në burgun e Burrelit./ata