Në Akademinë e Shkencave u zhvillua një takim mes kryeredaktorëve të revistave albanologjike dhe kryetarit të ASHSH, Skënder Gjinushi.

Kryeakademiku Gjinushi paraqiti masat që janë propozuar nga grupi i punës i ngritur për të vlerësuar gjendjen aktuale e për të konkretizuar ndryshimet e domosdoshme për hyrjen e revistave akademike në komunikim shkencor ndërkombëtar, indeksimin e tyre sipas standardeve të kërkuara, funksionimin e këshillave botues e të redaksive shkencore, respektimin e rregullave proceduriale transparente, që, në thelb, synojnë rritjen e cilësisë së kërkimit dhe botimeve shkencore.

Grupi i punës do të paraqesë së shpejti propozimet për ndryshime në rregulloret ekzistuese, udhëzuesin për strukturimin e artikujve në përputhje me kërkesat për indeksim ndërkombëtar, rekomandimet për zgjedhjen e platformave të mundshme për aplikim, zgjedhjen e një sistemi unik referencash, rregullimin e periodicitetit, të raporteve midis redaksive e autorëve, të studiuesve vendës e të huaj.

Akad. Gjinushi njoftoi se disa masa do të zbatohen shpejt, sipas një kalendari të miratuar, duke përfshirë publikimin digjital të revistave në faqe të dedikuara, zgjedhjen e një platforme anti-plagjiaturë, aplikimin e recensionimit të fshehtë, rregullimin e raporteve redaksi-autorë, përtëritjen e bordeve të botimit etj.

Në vijim ai tha se, disa nga revistat, si “Studia albanica”, “Albanian studies” dhe “AJNTS” të tentojnë indeksim të shpejtë ndërkombëtar, kurse revistat e tjera të avancojnë në regjistrimin e brendshëm sipas rregullores së miratuar nga MAS.

Kryeredaktorët shprehën në mënyrë të detajuar shqetësimet e tyre për procesin e vështirë të kalimit në epokën e botimeve digjitale, duke përfshirë nevojën e regjistrimit të një shtëpie botuese digjitale akademike sipas Ligjit nr. 53/2019./ata