Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj mori pjesë sot në konferencën për stabilitetin kibernetik, për shqyrtimin e kërcënimeve kibernetike ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, organizuar nga Kombet e Bashkuara, në Nju-Jork.

Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të konferencës, Karçanaj ndau përvojën e përballimit me sukses të sulmit shtetëror kibernetik, 15 korrikun e vitit 2022, i cili synoi të fshinte të gjithë sistemet digjitale.

“Reagimi i shkëlqyer ndaj sulmit keqdashës, u arrit falë bashkëpunimit me Departamentin Amerikan të Shtetit, Microsoft dhe FBI”, tha Karçanaj.

Sipas Karçanajt, kërcënimet kibernetike mbeten sfidë e vazhdueshme globale, por e rëndësishme është të rrisim nivelin e mbrojtjes dhe bashkëpunimit.

“Ndaj, ne prej kohësh kemi ngritur Qendrën Qeveritare Operacionale të Sigurisë, strukturë e cila mbron infrastrukturat dhe sistemet qeveritare nga çdo sulm kibernetik”, shtoi ajo.

Karçanaj vuri në dukje se investigimi, rikuperimi i sistemeve në mënyrën më të sigurtë dhe në kohë rekord, modernizimi dhe implementimi i inteligjencës artificiale në operacionet e përditshme, u vlerësuan nga panelistët e OKB-së si një histori suksesi ndërkombëtare./ata