Teksa çështja e diplomimit të tij ka qenë një nga çështjet më të diskutuara të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, Kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka publikuar ditën e sotme të gjitha dëftesat e tij që nga klasa e parë deri tek diploma e universitetit.

 

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” ai i ka bërë thirrje Erion Veliajt, që të tregojë edhe ai diplomat që ka marrë.

 

“Që nga klasa e parë dhe deri në ditën e fundit të universitetit unë kam ardhur sot t’i bëj publike diplomat dhe ftoj Erion Veliajn, ku të dojë ai, edhe te zyra e bashkisë të bëjë të njëjtën gjë që po bëj unë sot. Unë do të tregoj që të bëjmë transparencë për të gjithë qytetarët, se e kam unë merak, meqë ky (Veliaj) “është me shkollë” dhe unë “pa shkollë”, meqenëse kam mbi një muaj që e ftoj të vijë në studio dhe të flasim edhe për këtë çështje, meqënëse më keni pyetur mbi dhjetëra herë, meqënëse s’kanë lënë studio pa më pyetur për këtë temë, a ka mundësi të më lini pesë minuta të krenohem për një nga arritjet e mia më të mëdha në jetë?!”

 

“Për kuriozitet kam gjetur edhe semestrin e parë të klasës së parë! Urdhëro! Për ata që kanë merak. Të lutem, mund ta shohësh: Abetare shumë mirë, Matematikë, Edukatë, Vizatim, Këngë… Urdhëro, ai është semestri i parë dhe kjo është e klasës së parë!”-tha Belind Këlliçi.

 

Në disa artikuj të publikuar në media janë hedhur dyshime se Belind Këlliçi nuk ka patur diplomë të shkollës së mesme.