Mes polemikash e akuzash, sot pritet të mbahen zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Votimi do të bëhet në ambientet e Medresesë së Tiranës, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i zgjedhur më 02 mars të vitit 2019.

Kandidatë janë kryetari aktual Spahiu, Eduard Shefki, Administrator i myftinisë së Durrësit si dhe Emirjon Vathaj, Myfti i Beratit.

Një ditë më parë, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ publicisti Florjan Arapi tha se bëhej fjalë për nje teater te organizuar nga gylenistët e organizatës që njihet ndryshe si ‘Feto’.
 
Arapi u shpreh se në krye të KMSH do të caktohet ai që do të vendosë Fetullah Gylen, ndërsa paralajmëroi protestë.

Sipas tij, myftinjtë ‘gylenistë’ kanë arritur të hyjnë në Shqipëri dhe të marrin pushtetin në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, fillimisht nëpërmjet institucioneve arsimore e më pas duke e shtrirë edhe në fusha të tjera të vendit./Shqiptarja