Aktori i njohur, Genc Fuga ka realizuar me sukses procedurën e angiografisë cerebrale diagnostikuese në Spitalin Rajonal Memorial Fier.

Ndërhyrja për diagnostikimin e patologjive të arterieve karotide (arterieve kryesore që furnizojnë trurin me gjak) dhe arterieve cerebrale, ka nisur të kryhet në këtë spital që prej muajit tetor të vitit të shkuar nga një ekip multidisiplinar është i përbërë nga mjekë turq dhe shqiptarë si dhe teknikë imazherie të trajnuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka publikuar në rrjetet sociale mesazhin e aktorit të njohur i cili shprehet se edhe pse e kishte me frikë, çdo gjë shkoi shumë mirë.

Aktori Fuga vlerëson punën e ekipit të këtij spitali për profesionalizmin dhe përkujdesjen e tyre.

“Mirënjohje për ekipin turko-shqiptar për përkushtimin dhe profesionalizmin për t’i shërbyer pacientëve”, shprehet ministrja Koçiu.

Ky ekzaminim mjekësor mini-invaziv përdor rrezet x dhe identifikon problematikat shëndetësore të enëve të gjakut në tru, tek pacienti.

Gjatë angiografisë cerebrale imazhet merren në mënyrë elektronike duke krijuar pamje të enëve të gjakut. Kjo procedurë realizohet duke përdorur një kateter, pamje imazherike të avancuara dhe injeksionin e kontrastit.

Nëpërmjet angiografisë cerebrale, eliminohet nevoja për ndërhyrje kirurgjikale tek pacienti. Kjo metodë pranohet si standardi i artë në diagnostikimin e sëmundjes së arterieve cerebrale./ata