Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i angazhuar për garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

 

ISHMT, krahas informimit të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre për të pasur produkte, pajisje apo instalime të sigurta, po punon edhe për rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore, pronësisë intelektuale si dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre.

 

ISHMT ka realizuar përgjatë kësaj jave inspektime në 93 operatorë ekonomikë për sigurinë e produkteve elektrike, për sigurinë e ashensorëve në përdorim, për sigurinë e lodrave, për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, për metrologjinë dhe për mbrojtjen e konsumatorit.

 

Për sigurinë e ashensorëve, trupat inspektuese të ISHMT-së kryen gjatë kësaj jave 9 inspektime. Për të siguruar se në treg po ofrohen lodra të sigurta për fëmijët janë realizuar gjatë kësaj jave 4 inspektime. Për metrologjinë u kryen 19 inspektime në operatorë të ndryshëm ekonomik, ndërsa për sigurinë e produkteve elektrike u kryen 6 inspektime.

 

Inspektorët e ISHMT-së kryen po ashtu, 5 inspektime për lejen apo autorizimin nga autori apo mbajtësi i së drejtës mbi riprodhimin dhe shpërndarjen në zbatim të ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, dhe 5 inspektime në lidhje me kontratat apo autorizimet për përdoruesit e programeve kompjuterike, në zbatim të po këtij ligji, në subjektet e hotelerisë. Njëkohësisht u kryen 3 inspektime për të siguruar zbatimin e ligjit për mbrojtjen e pronësisë industriale.

 

Edhe kontrollet në kuadër të Taskforcës, ngritur me Urdhër të Kryeministrit për verifikimin e përdorimit të qeseve, konform legjislacionit nga subjektet tregtare, janë shtuar. ISHMT realizoi gjatë kësaj jave kontrolle në 40 subjekte, në qytetet Shijak, Durrës dhe Vlorë./ATSH