Kryeministri Edi Rama u shpreh sot besimplotë se baza e re detare e NATO-s në Porto Romano së shpejti do të përfshihet në planet e Aleancës.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë, Kryeministri Rama i shprehu një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuan, duke filluar nga aleatët tanë të NATO-s.

“Me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë që së shpejti mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, tha Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri shprehu falënderimin e posaçëm dhe urimi për shëndet e gjithçka u do zemra, të gjithë Forcave të Armatosura shqiptare, trupave dhe individëve që militojnë në këto forca dhe dita-ditës e bëjnë Shqipërinë më krenare për ta.

“Ata janë një arsye më shumë që ne të ndihemi më krenarë për Shqipërinë”, tha Rama./ata