Kryeministri Albin Kurti tha se Kosovës duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë, që sipas tij, vijnë nga Serbia. Gjatë konferencës “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, Kurti tha se ndaj Serbisë duhet të përdoret qasja e njëjtë që BE dhe NATO kanë përdorur ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Serbia e solli katër herë në dy vite ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, sponsorizoi terroristë dhe vazhdimisht shpërndau gënjeshtra për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit”, vijoi Kurti.
Kurti foli për integrimin evropian dhe atlantik të Kosovës dhe tha se ky rrugëtim nuk mund të bëhet pa mbështetjen e miqve të saj ndërkombëtarë, por as pa reforma të brendshme.
“Mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por në sjelljen e një regjimi autoritar sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE. Ajo kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit”, tha Kurti.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 2023 dhe për në BE në fund të vitit 2022. Megjithatë, në asnjërën prej këtyre proceseve integruese nuk është shënuar përparim dhe Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat.