Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, deri në fund të këtij viti.

Ndryshimi kryesor i propozuar nga deputeti Shalsi ishte shtyrja e afatit të ligjit deri në vitin 2027, afati i të cilit përfundonte më 31 dhjetor 2023, duke lënë të pambuluar nevojën për aplikimet e reja dhe penguar vijueshmërinë e procesit, si dhe trajtimin e kërkesave të ardhura nga investitorët.

Por një ditë më parë Komisioni i Ligjeve sugjeroi që në kushtet kur po punohet për draftimin e një kuadri ligjor të ri për investimet strategjike, nisma të lidhet vetëm me rishikimin e afatit të ligjshmërisë deri më datë 31 dhjetor 2024.

Në këto kushte, Komisioni rrëzoi amendimin e propozuar nga deputeti Shalsi, ndërsa miratoi si afat të zbatimit të ligjit 31 dhjetorin e këtij viti.

Ndër të tjera, ndryshimet në ligj propozonin rritjen e vlerës minimale të projekteve të investimit që aplikojnë për status strategjik në çdo sektor dhe përcaktimit të numrit të vendeve të punës që do të hapen; rritjen e përgjegjshmërisë së vlerësimit të projekteve duke detajuar procedurën e vlerësimit, ndarjen e përgjegjësive, përcaktimin e kushteve të qarta për monitorimin kontrate/marrëveshje dhe shfuqizim statusi në rast të mosplotësimit të kushteve të dakordësuara më parë.

Edhe këto amendime u rrëzuan nga Komisioni, ndërsa vetë deputeti Shalsi abstenoi./ata