Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se duke filluar nga data 27 mars 2024 do të kryejë punimet në rrugën që lidh Unazën Lindore me rrethrrotullimin e TEG-ut.

Për këtë arsye, ARRSH informoi se do të bëhet devijimi i trafikut sipas planit të menaxhimit, për të realizuar rampën lidhëse Unaza Lindore në drejtim të Tiranës.

“Pas përfundimit të rampës lidhëse, rruga që vjen nga Sauku për në nyjen TEG (rruga që kalon te Mai Tai Resort) mbyllet, duke shërbyer vetëm për bizneset e zonës. Menaxhimi i trafikut do kryhet sipas planit të menaxhimit të trafikut. Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për këtë devijim”, njofton ARRSH.

Kontraktori i punimeve në bashkëpunim me ARRSH-në dhe Policinë Rrugore kanë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut.

Unaza e Madhe e Tiranës është një vepër e rëndësishme për banorët e kryeqytetit, por edhe për të gjithë udhëtarët shqiptarë dhe të huaj. Me një gjatësi prej 27 kilometrash, ajo lehtëson trafikun brenda Tiranës dhe e lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare./ata