Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se ligji “Për investimet strategjike” është totalisht jotransparent në zbatimin e tij, ndërsa u shpreh kundër zgjatjes së afatit, amendament i propozuar nga deputeti i PS-së, Eduard Shalsi.
Gjatë diskutimit të ndryshimeve në ligjin “Për investimet strategjike”, në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Tabaku tha se shtyrja e afatit të zbatimit të ligjit për herë të pestë është jashtëzakonisht shqetësuese.
“Ju thatë që ligji i investimeve është duke u hartuar, në fakt ligji i ri i investimeve ka 10 vite që është duke u hartuar. Në vitin 2014 kur ky ligj u prezantua u tha se po hartohet një ligj integral për investimet dhe jemi në vitin 2024 dhe akoma po punohet një ligj integral për investimet. Nuk besoj se në historinë 35-vjeçare të tranzicionit të ketë një proces hartimi të një ligji sesa ky i investimeve”, u shpreh Tabaku.
Sipas Tabakut, nga 84 kërkesa janë 40 të pranuara. Ajo shtoi se 75 % e kërkesave të pranuara janë për fshatrat turistike.
“Sot AIDA akoma nuk na ka dhënë vlerësim sesi këto investime strategjike kanë ndikuar në ekonomi, së dyti, çfarë punësimi kanë sjellë, së treti si kanë ndikuar në stokun e investimeve të huaja, sa investime të huaja kanë ardhur në vend sepse pikërisht ky ishte qëllimi kryesor i këtij ligji, sjellja e investimeve të huaja që faktikisht nuk ka ndodhur dhe fakti që 75% prej tyre ndodhen dhe janë të realizuara në fushën e turizmit për mua është mjaftueshëm fakt për të thënë që ligji është absolutisht abuziv dhe jashtëzakonisht klientelist”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se shqetësim edhe marrjen e pronës, që sipas, ka krijuar problematikën më të madhe në zbatimin e ligjit.
“Unë e përmenda dhe në mbledhjen e kaluar, në Kadastrën e Vlorës dhe në të gjithë qytetet e jugut problematika kryesore për korrupsion lidhet pikërisht me zbatimin e këtij ligji sepse ligji merr parasysh që pronat të cilat janë prona pronarësh legjitimë, ja ndërmjetëson dy privatëve për t’ia shitur këto me një çmim jo tregu por çmim VKM-je”, tha ajo.
Shkelja e të drejtës së pronës, nënvizoi Tabaku, përmendet edhe në progresraport, përmendet në disa progresraporte me radhë, si ligji i investimeve strategjike, problematikat që ka në zbatimin e tij dhe njëkohësisht përmendet dhe me ligjin e zonave të mbrojtura që fatkeqësisht kaloi pak javë më parë në Parlament.
“Sjellja e konkurrencës dhe në këtë fushë për mua janë çelësi kryesor që i mungojnë çdo sfere në fakt, por i mungon dhe këtij ligji të investimeve strategjike në mënyrë të veçantë. Unë jam kundër shtyrjes së këtij afati, kundër këtyre ligjeve që në fakt bëhen me porosi për 14 investime që kanë ngelur pa u dhënë akoma dhe që do jepen dhe jam kundër, sepse e shoh dhe të lidhur me ligjin e zonave të mbrojtura”, deklaroi deputetja Tabaku./ata