Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediet, u ndal sot te çështja e trajtimit shëndetësor dhe kostove të ilaçeve për pensionistët.
“Kostot e barnave dhe shërbimeve të tjera shëndetësore, që nuk mbulohen nga shteti, janë krejtësisht të papërballueshme me pensionet qesharake, që ata marrin, të cilat zhvlerësohen çdo ditë. Pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Botërore në 6.85 USD në ditë”, u shpreh ai.
Meta theksoi se “është pakësuar në mënyrë të vazhdueshme fondi i rimbursimit, ndërkohë barra e trajtimit ka rënë mbi pensionistët dhe qytetarët, të cilët shpesh nuk blejnë dot ilaçet nga varfëria në të cilën ndodhen”.
“Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSDKSH-së, ndërsa në 2024 vetëm 20.6%. Regresi ka është i pandalshëm”, tha ai.
Po ashtu, Meta theksoi se barna me cilësi shumë të ulët janë futur gjerësisht në farmacitë shqiptare, për qëllime spekulimi dhe korrupsioni, ndërkohë janë larguar masivisht kompanitë prestigjioze farmaceutike, që sillnin barna cilësore.
“Më konkretisht, importet e barnave nga një vend jashtë Bashkimit Europian para vitit 2019 zinin vetëm 8% të importeve totale, vitin e kaluar zinin 17%, pra me një rritje prej më shumë se 200%. Ndërkohë që nga 13 përfaqësi të kompanive të njohura botërore farmaceutike që ishin në Shqipëri para shumë vitesh, tani kanë mbetur vetëm 3 prej tyre”, tha ai.
Sipas Metës, “shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha dhe të pabesa të ‘Rilindjes’”.
“Pensionistët, ashtu si edhe të gjithë shqiptarët, paguajnë sot 60% nga xhepi për shëndetin më shumë se qytetarët e tjerë në Europë. Madje OBSH përllogarit se në periudhën 2015-2021 shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për shëndetësinë u rritën me 82%”, tha ai.
Meta propozoi mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.
“Propozojmë mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore; dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale; sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese; sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë, si dhe artikujve mjekësorë (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve”, tha ai./ata