Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një bashkëbisedim me mjekë dhe infermierë të rinj të cilët janë punësuar në sistemin  publik shëndetësor, gjatë dy muajve të parë të këtij viti.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi se dy platformat, “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”, janë dëshmi reale e punës së bërë gjithë këto vite nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të vendosur në qendër meritokracinë, transparencën dhe konkurrueshmërinë.

Sipas saj, janë pikërisht këto vlera të cilat do të vazhdojnë të pasurojnë strukturat tona shëndetësore me prurje të reja të cilat kanë një emërues të përbashkët, meritokracinë.

“Janë mbi 6 mijë mjekë dhe infermierë që 4-5 vitet e fundit i janë bashkuar sistemit tonë publik shëndetësor dhe le të flasim për këto shembuj pozitivë,  frymëzues, energjizues për këdo që kërkon t’i bashkohet sistemit tonë publik. Një ftesë për të gjithë ata skeptikët që mendojnë se në sistemin publik shëndetësor do duhet të kesh patjetër një mik dhe një të njohur me qëllim që të marrësh një vend pune”, u shpreh ministrja.

Duke iu drejtuar mjekëve dhe infermierëve të rinj, Koçiu nënvizoi se “ju jeni dëshmia reale që kjo nuk është e vërtetë”.

“Nëpërmjet dy platformave të rëndësishme si platforma ‘Mjekë për Shqipërinë’ dhe platforma ‘Infermierë për Shqipërinë’, nëse ke talentin, meritën, vlerësimin, çdo gjë është e mundur. Që do të thotë se vetëm meritokracia është ajo që ju vendos në një vend pune”, tha ajo.

Më tej, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe të rritja e pagave për punonjësit në sistemin e shëndetësisë që do të vijojë edhe këtë vit.

“Janë rritur pagat me mbi 70% nga pikënisja dhe në ndërkohë do të vijojnë të rriten. Në vitin 2024 ne do të vijojmë të rrisim pagat për mjekët e familjes dhe për infermierët. Janë plot 18 mijë punonjës të sistemit shëndetësor të cilët do të marrin një rritje tjetër pagash në muajin korrik të këtij viti” , deklaroi ajo.

Në fjalën e saj, Koçiu u ndal edhe te Autonomia Spitalore duke shtuar se është një platformë që do të nxisë akoma më shumë meritokracinë dhe konkurrueshmërinë në sektorin publik shëndetësor.

“Janë spitalet ato të cilat do duhet të shndërrohen në qendra ekselence për të thithur akoma më shumë pacientet që kanë nevojë për shërbime të specializuara. Po punojmë për këtë projekt dhe patjetër, pjesë e këtij projekti janë edhe praktikat dyfishe për mjekët për të stimuluar ekselencën, profesionalizmin dhe dijen”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Nga viti 20218 janë punësuar nëpërmjet portaleve “Infermierë për Shqipërinë” dhe “Mjekë për Shqipërinë” rreth 6 mijë mjekë dhe infermierë, ndër të cilët rreth 1400 janë mjekë./ata