Mundësia e rikthimit të Shqipërisë në industrinë e armëve shihet pozitivisht nga Kosova dhe Italia, madje dhe si një mundësi konkrete bashkëpunimi të Shqipërisë me të dy vendet.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se investimi në këtë industri është tejet i nevojshëm, ndërsa theksoi se do të diskutohet mundësia e bashkëpunimit me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Ne mirëpresim çdo zhvillim të industrisë së mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë”, theksoi Maqedonci.
“Ne në Kosovë po ndërtojmë konceptin e industrisë së mbrojtjes dhe shpresoj që dy ministrat e Mbrojtjes do ta thellojnë bashkëpunimin në këtë aspekt, veçanërisht në një kohë ku shihet një mungesë e municioneve në stoqet e vendeve shumë të mëdha të NATO-s si pasojë e luftërave të fundit dhe është e domosdoshme dhe e nevojshme”, tha Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e vlerësoi si të nevojshëm këtë hap të Shqipërisë drejt industrisë së armatimit. Sipas tij, të gjitha vendet po pajisen me armatim, pasi luftërat në anën lindore të rruzullit kanë krijuar pasiguri dhe në këtë drejtim është e nevojshme që të forcohen kapacitet prodhuese të armatimit.
“Ideja e Shqipërisë për t’u rifutur në industrinë e armatimit është e rëndësishme. Të gjitha vendet janë në një moment ku po pajisen me armatim. Kjo sepse vështirësia e kohës, luftërat, siguria lipsin dhe një nevojë për të forcuar kapacitetin prodhues për armatim. Të gjitha vendet po e bëjnë dhe do ishte mirë ta bënte dhe Shqipëria. Italia ka investuar në shumë drejtime në Shqipëri dhe nëse do ketë propozime, do arsyetojmë dhe për mundësinë e investimit në këtë sektor”, tha ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto./ata