Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka zotuar se vendi i tij është i gatshëm të sjellë “makthe të reja” për ata që po përpiqen të gjunjëzojnë vendin me terrorizmin.

“Ne jemi të gatshëm të sjellim makthe të reja për ata që mendojnë se mund ta gjunjëzojnë Türkiyen me një formacion terrorist përgjatë kufijve të saj jugor”, tha presidenti Erdoğan pas kryesimit të një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara, duke iu referuar kryesisht PKK-së me bazë përtej kufirit në Irakun verior dhe degës së saj siriane YPG/PKK.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

“Çështjet në lidhje me kufijtë tanë me Irakun do të zgjidhen përgjithmonë këtë verë”, tha presidenti turk.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior, përtej kufirit, për të komplotuar sulme në Türkiye.

Erdoğan gjithashtu tha se Türkiye është e vendosur “të krijojë një korridor sigurie përgjatë kufijve të saj me Sirinë, duke u shtrirë 30-40 kilometra në thellësi”.

Duke bërë thirrje për një botë islame të bashkuar “si tullat e një muri, veçanërisht për Gazën”, Erdoğan tha se, “Zgjidhja e problemit (të Gazës) qëndron në arritjen e një konsensusi ndërkombëtar efektiv dhe të vendosur”.

“Türkiye po bën më të mirën për Gazën dhe Palestinën dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, shtoi ai.

Vjeshtën e kaluar, një grup kontakti u formua nga vendet e rajonit së bashku me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) dhe Ligën Arabe për të nxitur një armëpushim në Gaza dhe krijimin e një shteti të Palestinës përgjatë kufijve të para vitit 1967 me kryeqytetin e saj në Kudsin Lindor.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një inkursioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Bombardimet izraelite që pasuan kanë vrarë të paktën 30.534 palestineze dhe kanë plagosur rreth 72 mijë të tjerë, me një shkatërrim masiv dhe mungesë të nevojave themelore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa