Rektori i Universitetit Luarasi Et’hem Ruka ka promovuar dy libra të tij. Profesori Ruka ka promovuar librat e tij “Takim me vetveten” dhe “Trans-humanizmi përtej njeriut”. Në promovim folën edhe miq të profesorit.
Profesor Fatos Tarifa, që ka bërë edhe parathënien në një nga librat, mbajti fjalën e tij në promovimin e librave.
Fatos Tarifa: Për mua është nder i veçantë të dal këtu të promovoj libra të profesor Et’hem Rukës. Duhet thënë se librat janë shumë të mirë. Njëri është autobiografik. Unë kam shkruar parathënien e librit Trans-humanizmi. Ju profesor keni pasur jo pak rëndësi për shoqërinë shqiptare, që ajo të jetë ajo që është sot. Keni pasur rol në pushtetin ekzekutiv, por edhe në pushtetin e dijes, e madje dija është pushteti më i madh. Ju keni pushtet të madh mbi lexuesin. Ju meritoni një vend të madh nderi në pietestalin e dijes në vendin tonë. Libri flet edhe për inteligjencën artificiale, është letërsi shkencore shumë e mirë. Është një punë e madhe në këtë libër dhe ky libër edhe skeptikun e vë në shumë pikëpyetje.
Profesori Namik Dokle: Unë do të flas për librin “Takim me vetveten”. Ky libër na bën të reflektojmë, që edhe në të shikojmë veten, nga kemi ardhur. Unë jam habitur për sinqeritetin me të cilën shkruan profesori Et’hem Ruka. Profesori shkruan me sinqeritet dhe dashuri. Profesori ka një sinqeritet të jashtëzakonshëm, tregon edhe gabime të vogla që ka bërë, sepse do që të jetë i hapur me lexuesin dhe kjo është një meritë e profesorit Ruka. Tipari tjetër i Rukës është dashuria e tij për njeriun. Në libër, humanizmi dëshmohet kudo. Unë mendoj se këta libra do jetojnë më shumë se një jetë njerëzore. Et’hem Ruka flet me modesti, që nga fillimet e tij si mësues tek shkolla e fshatit deri kur ai u bë profesor universiteti dhe më tej kur ngjiti shkallët e karrierës. Tipar tjetër në libër është mirënjohja. Në libër kemi poemë mirënjohje. Et’hem Ruka tregon se është mirënjohës ndaj njerëzve që e kanë ndihmuar gjatë karrierës. Në libër tregohet vullnet i madh për të kapërcyer vështirësitë, me modesti, por duke ia njohur vlerat vetes. Et’hem Ruka shkruan aq saktë, sa duket sikur të dërgon te fshati i tij i lindjes, sikur të merr për dore dhe të çon kudo, ku jeta e ka ‘përplasur’, tregon çdo me saktësi të jashtëzakonshme. Të tilla libra na bëjnë më të mirë njerëzisht. Në libër Et’hemi flet me shumë respekt për të gjithë pedagogët, flet me dashuri të jashtëzakonshme edhe për studentët. Profesori Ruka ka një kujtesë të jashtëzakonshme, sa mban mend edhe studentët e tij, që shkëlqyen.
Profesori Sherif Bundo: I lexova dy librat e Rukës me një frymë. Kur lexova librin me imagjinatë të profesorit, m’u vetja sikur isha në fund të detit dhe doja të dilja në sipërfaqe në tokë. E kam përjetuar me të vërtetë. Në librin e tij autobiografik, është një person që sheh sfidat e tij jetësore. Nesër është 7 Marsi dhe është ditë e veçantë për arsimin. Nëse ka një person që ka dhënë kontribut për arsimin në Shqipëri është profesori Et’hem Ruka. Tek Ruka gjej njeriun që kërkon punën dhe dijen. Et’hem Ruka shpjegon shumë mirë sesi jeta e tij ndryshoi nga një fshat në periferi të Tepelenës në metropolin e Shqipërisë, Tiranë dhe më pas në rrugët e metropolëve europianë, si Parisi. Ka gjë më të bukur kur dëgjon studentë kur thonë se jam krenar që kam qenë student i Rukës.
Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, shprehet se në librin e tij të parë dëshmon se fanta-shkenca po kthehet në një realitet çdo ditë e më tepër. Ai shtoi se së fundmi po flitet për Inteligjencën Artificiale, duke shtuar se AI sa ç’ngjall shpresa, ngjall dhe frikë, nëse teknologjia e zëvendëson plotësisht njeriun. Profesor Ruka tha se në librin e tij “Takim me vetveten” ka përshkruar jetën e tij, duke nënvizuar se beson se çdo jetë njerëzore është një univers më vete. Et’hem Ruka falënderoi pjesëmarrësit në promovimin e librave.
Profesori Et’hem Ruka: Zoti i ka dhënë njeriut një armë të fortë, inteligjencën. Ne këtë armë mund ta përdorim për mirë apo për keq. Njeriu me veprimtarinë e tij ka prishur ekuilibrat e natyrës, ka bërë dëme më tepër se një meteor. Nga Neandertalët e deri më sot, janë zhdukur shumica e specieve dhe njeriu ka mbetur. Edhe njeriu nuk e di të ardhmen e vet. Jam munduar të sjellë arritjet e fundit të nano-teknologjisë. Bio-teknologjia po trondit botën. Nano-teknologjia dhe teknologjia e informacionit janë shkenca, pa të cilat nuk bëjmë dot sot. Inteligjenca Artificiale ngjall shpresë dhe frikë. Kjo sepse AI mund të shërbejë për mirë, por mund të krijojë edhe gjëra negative. Ne sot mund të krijojmë edhe zemër artificiale. Ato që dje kemi quajtur fanta-shkencë, mund të kthehet në realitet. Është rritur jeta e njerëzimit 2.5 vite në çdo dhjetë vjet. Me shaka kam thënë se kur të lindin fëmijë, mos thoni që jetofsh 100 vjet, se do të jetojnë edhe më gjatë. Të gjitha fantazitë sot po bëhn realitet. Këto shpjegoj në librin tim “Transhumanizmi përtej njeriut”.
Ndërsa në librin tim “Takim me vetveten” tregoj gjithë rrugëtimin tim të jetës. Por jam i bindur se libri ka vlerë për të gjithë, sepse çdokush ka fillimet e jetës së tij dhe fundin e jetës. Unë dua të falënderoj zotin president, z Irfan Hysenbelliu që më besoi drejtimin e Universitetit Luarasi. Ju falënderoj që keni ardhur tek Universiteti Luarasi. Unë nuk e di sesa botime kam bërë. Nuk kam bërë promovime. Dua të falënderoj Gramoz Ruçin. Kam qenë në Tepelenë, atje në fshatin tim, atje e kam promovuar librin tim “Takim me vetveten”, ku jam pritur nga 300 njerëz në fshatin tim të lindjes. Falendëroj profesor Rexhep Mejdanin, që është ndër profesorët më të nderuar të Fakultetit, që jemi rritur bashkë, kemi qenë bashkë në politikë dhe është ndër mburrjet tona, ishte president i Republikës. Kam këtu Ylli Bufin, që ka qenë kryeministër i vendit. Fakulteti i Shkencave ka nxjerrë presidentë, kryeministra, shefa të shërbimit informativ, është me të vërtëtë fakultet fantastik. Falënderoj Namik Doklen. Faleminderit shumë të gjithëve.
Në promovimin e librave ishin të pranishëm miq të profesorit, studentë, akademikë, biznesmenë dhe profesorë.