Mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani shënoi golin e parë për Interin, kjo në fitoren 2-1 kundër Genoas. Titullar prej tre ndeshjes, Asllani ka vendosur rekord në Serie A.

Sipas të dhënave të Sofascore, Asllani ka çuar në destinacion të gjitha pasimet që ka tentuar në ndeshjen e së hënës në darkë, 77 nga 77. Kjo është një e dhënë fantastike për 21-vjeçarin e Kombëtares që po bën 'regjisorin' në mesfushën zikaltër.

Për shkak të asnjë gabimi në pasime gjatë 90 minutave dhe golit, Asllani ishte pjesë e formacionit më të mirë të javës së 27-të në Serie A, teksa ka bërë "me dhimbje koke" edhe Simone Inzaghin, me trajnerin që ka shumë emra për një rol në mesin e fushë.

Dëmtimi i Calhanoglu i hapi rrugën aktivizimit të Asllanit, që me një fanellë titullari mbi shpinë tregoi cilësitë e tij dhe bëri që drejtuesit e Interit mos ndiheshin të keqardhur për 14 milionët e eurove të derdhura në arkat e Empolit për shqiptarin.