Në prag të 8 marsit, shoqata “Albanian Woman in Audiovisual” në partneritet me UNDP në Shqipëri dhe Ambasadën e Suedisë, prezantuan fushatën “Unë tregoj” kundër ngacmimit seksual. Fushata zbatohet në Bashkinë e Tiranës.
Fushata ka në qendër mesazhe publike, nën moton “Ky qytet nuk hesht, por flet kundër ngacmimit seksual”, të vendosura në pikat kyçe të qytetit, të cilat përfshijnë zona si, qendra e qytetit, Rruga e Elbasanit, Tirana e Re dhe Kombinati.
Gjithashtu, 70 mbishkrime me titullin “Ngacmimi seksual është krim dhe dënohet me burgim”, janë vendosur në autobusët e linjës së Kamzës me numra telefoni që tregojnë se ku mund të raportohet ngacmimi seksual.
Veç numrit të Policisë së Shtetit, janë vendosur dhe dy numra të Linjave të Këshillimit përkatësisht për gratë dhe fëmijët, në mënyrë që të ofrohet ndihmë për personat që përjetojnë ngacmim seksual.
Fushata do të zgjasë 30 ditë dhe do të vijojë me serinë e podkasteve “Unë Tregoj” me rrëfimet e të mbijetuarave nga ngacmimi apo sulmi seksual. Në podkaste do të jepen këshilla nga ekspertët se si duhet reaguar ndaj situatave të tilla.
Fushata është projektuar nga “Albanian Woman in Audiovisual” në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara: “T’i japim fund dhunës ndaj grave” i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga UNDP-ja në Shqipëri dhe agjenci tjera të OKB-së në Shqipëri.
Fushata do të zbatohet nga Albanian Woman in Audiovisual dhe UNDP.
Në ceremoninë e hapjes së fushatës, e cila u organizua pranë një stacioni autobusi morën pjesë zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Mema, Valbona Sulçe, përfaqësuese e AWA-s, përfaqësues të institucioneve qeveritare, Avokatit të Popullit, organizatave ndërkombëtare, bashkisë, shoqërisë civile, studentë dhe qytetarë./ata