Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha në Kongresin e Shëndetësisë se deri më tani i kanë rritur pagat e stafeve mjekësore me 63%, ndërsa theksoi se do të vijojnë me mbështetjen financiare për ta. Në fjalën e saj, Manastirliu u ndal edhe në autonominë spitalore, për të cilën tha se do të mundësojë më shumë mundësi të reja për mjekët që t’u rritet paga në bazë të performancës së tyre.
"Nga pikënisja rritëm me 63% pagat e stafeve mjekësore, aplikuam bonusin e mjekëve që punojnë larg vendbanimit, ndërsa jemi zotuar të vijojmë rritjen e pagave për profesionistët e shëndetësisë. Reforma spitalore, me modelit e ri të autonomisë spitalore do të mundësojë më shumë iniciativa financiare për mjekët, nga pagesat për performancë dhe praktikën dyfishe.
Po adresojmë në dinamikë sfidën e mobilitetit të personelit shëndetësor, një sfidë që ka prekur jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE, me synim mbajtjen e profesionistëve në vend dhe zhvillimin e programeve për përthithjen e atyre që sot punojnë jashtë të përfshira këto si pjesë e Planit të Masave per Zhvillimin e Burimeve Njerëzore 20-30, për të plotësuar nevojat në të ardhmen, për profesionistë të shëndetësisë.
Përballë kësaj sfide ne kemi mundur të ruajmë ekuilibrin, falë specializimeve të hapura çdo vit. Përmes tyre kemi mundur të integrojmë më shumë se 400 specialistë në spitalet rajonale. Falë punësimit në mënyrë transparente dhe mbi baza meritokracie, mbi 5500 profesionistë të mjekësisë ushtrojnë profesionin e tyre në çdo cep të vendit", tha Manastirliu.