Filmi ikonë i kinematografisë shqiptare, tashmë i restauruar, u shfaq premierë për publikun, së bashku me promovimin e librit të shkruar nga Ester Gjika “Film pas filmi – unë e bija e…”, si dhe një performancë të kabasë në klarinetë, interpretuar nga trioja virtuoze: Sokol Bimi: klarinetë, Fatmir Lela: llahutë; Ronaldo Deda: violinë.

 

“Gjeneral Gramafoni” u restaurua në qendrën “Dabimus” srl në Bari, falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë.

 

“Gjeneral Gramafoni”, konsiderohet një film ikonë nën regjinë e të madhit Viktor Gjika, me skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë nga Aleksandër Peçi.

 

Autori i muzikës së filmit, kompozitori i njohur Aleksandër Peçi përcolli përgëzimet e tij me rastin e shfaqjes së filmit të restauruar në 45-vjetorin e tij.

 

“Mbrëmë m’u mblodh një lëmsh në fyt, jo vetëm për emocionet e mëdha që morëm nga premiera, por edhe spese nga gjithë emrat që ngritën kaq lart këtë film 16 prej tyre nuk jetojnë më”, u shpreh kompozitori në një postim në rrjetet sociale.

 

Peçi duke shprehur falënderimet për besimin që iu dha në moshë fare të re për kompozimin e muzikës së filmit, ishte vetëm 26 vjeç, tregon se kolona zanore ka 75% muzikë të kompozuar dhe 25 % të stilizuar nga populli.

 

“Ky film u bë guri themeltar mbi të cilin ngrita drejtimin muzikor të Kabaizimit. Faleminderit dy gjigandëve të klarinetës popullore Remzi Lela e Laver Bariu, orkestrës së RTSH e të madhit Ferdinand Deda që e shndërruan klarinetën dhe muzikën në një personazh kryesor të filmit”, u shpreh Peçi, duke u bërë thirrje autoriteteve të larta shtetërore për ta ndërkombëtarizuar këtë film.