Pavarësisht vizitës së djeshme të emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në Kosovë dhe paralajmërimeve për takim të radhës të kryenegociatorëve në Bruksel, pritjet për rezultate në dialog janë minimale, madje edhe për gjetjen e një zgjidhje për Rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë. Sipas njohësve të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ky proces ka hyrë në një ngërç të ri dhe se s’ka asnjë indicie që situata po shkon drejt zgjidhjes, veçmas kur brenda pak muajsh do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian.

Drejtori ekzekutivi i Lëvizjes Çohu, Arton Demhasaj, thotë për KosovaPress se për aq kohë sa nuk jepet një zgjidhje për çështjen e dinarit s’do të ketë diskutim për zbatimin në tërësi të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, qeveritarët kanë gabuar që nuk kanë dëgjuar këshillat e amerikanëve për shtyrje të këtij vendimi, derisa tash për këtë temë pritet të diskutojnë në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Në anën tjetër, politologu, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress se vizita e Lajçak në Prishtinë është më shumë në vazhdën e përpjekjeve të tij për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Mirëpo, ai shton se pa një sekuencim të qartë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes nuk pret që të ndodh një gjë e tillë.

Ndërkaq, Demhasaj, konsideron se pavarësisht vizitës së Lajçak në Kosovë, s’ka asnjë indicie se situata po shkon drejt zgjidhjes sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

Lajçak të martën ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Pas takimit, ai ka thënë se do të dëshironin të shohin përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Sipas tij, kjo marrëveshje, e cila ditë më parë ka bërë 1 vit nga nënshkrimi është ujdia më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Krahas kësaj, ai ka bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për çështjen e dinarit serb, ndërkaq paralajmëroi se shumë shpejtë do të ketë takim të kryenegociatorëve në Bruksel.

Ndërkaq, sipas komunikatës qeveritare, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në takim me Lajçak ka potencuar se Rregullorja e BQK-së nuk është pjesë e dialogut me Serbinë, derisa ka theksuar nevojën e zbatimit të marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi./KosovaPress