Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e ka cilësuar reformën në drejtësi një moment kthese që po prodhon rezultate, duke i dhënë fund gradualisht pandëshkueshmërisë.
I pranishëm në punimet e konferencës ndërkombëtare “Forcimi i Llogaridhënies: Fuqizimi i përpjekjeve kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, të zhvilluar këtë fillimjavë në Tiranë, Manja nënvizoi se sot sfida është vazhdueshmëria e punës së sistemit të drejtësisë pas përfundimit të Vetting-ut. Sipas tij, zbatimi i standardeve të shëndosha të llogaridhënies, janë me rëndësi primare.
“Kjo reformë shenjoi një moment kthese epokale për vendin tonë. Sot nuk flasim më për një reformë në fazat fillestare, por për një sistem që po prodhon rezultate duke i dhënë fund gradualisht pandëshkueshmërisë”, tha Manja.
Sipas tij, “Vetting-u ishte instrumenti antikorrupsion më i guximshëm, i thellë dhe kapilar i pastrimit të drejtësisë zbatuar ndonjëherë, jo vetëm në rajon, por e më gjerë. Por mbi të gjitha, ky instrument rezultoi i domosdoshëm dhe tejet i dobishëm. Numri i gjyqtarëve të larguar nga sistemi, është provë e gjallë e një drejtësie që nuk mund të bënte drejtësi, pasi ishte e kapur nga korrupsioni”.
“Por, natyrisht, sot pas mëse 6 vitesh nga fillimi i këtij procesi, sfida nuk është më pak e vogël për sistemin e drejtësisë në tërësi. Sot mbetet thelbësore që ky sistem të maturohet, e të tregojnë aftësi për t’u vetëpërmirësuar në vijim. Ndaj, zbatimi i standardeve të shëndosha të llogaridhënies, me rëndësi primare. Me përfundimin e procesit të rivlerësimit, institucionet e qeverisjes duket të garantojnë në vijimësi llogaridhënie të shtuar brenda vetë sistemit”, u shpreh Manja.
Ai tha se shtimi i “track record” po tregon se frytet e reformës në drejtësi janë të shëndetshme.
“Nga ana tjetër, jemi veçanërisht krenar që në Shqipëri po formësohet një reputacion i ri i institucioneve të sistemit të drejtësisë në sytë e publikut shqiptar. Rritja e konsiderueshme e track record në luftën kundër korrupsionit nga organet e posaçme të sistemit të drejtësisë është tregues se frytet e reformës janë të shëndetshme. Por natyrisht, pavarësisht se pritshmëria është e lartë për produkte të shpejta, si Ministër Drejtësie dhe si ish-prokuror, dëshiroj të theksoj se mbetet esenciale që institucionet e reja të specializuara në fushën e korrupsionit e krimit të organizuar të ushtrojnë funksionet e tyre larg cdo forme presioni ose ndikimi. Cilësia duhet të mbizotërojë ndaj sasisë dhe ajo çfarë duhet të mbizotërojë mbi çdo gjë tjetër, janë standardet e një gjykimi të drejtë”, theksoi Manja.
“Vetëm kështu, do të jetë realisht efektive lufta kundër korrupsionit dhe perceptimi mbi llogaridhënien do të rritet ndjeshëm”, shtoi Manja.
Ministri i Drejtësisë në fund tha se përtej rezultateve të arritura, ka ende shumë punë përpara.
“Pavarësisht se jemi modestisht krenarë për çfarë kemi arritur, nuk kemi as naivitetin për të thënë që luftën me korrupsionin e kemi fituar, ose po e fitojmë tashmë. Kemi ende mjaftueshëm punë përpara. Askush, përfshirë edhe shtetet me kulturë demokratike e shtetformimi më të avancuar se e jona, nuk e ka luksin ta quajë kryer apo të finalizuar. Pavarësisht se nga lente të ndryshme, qëllimi ynë mbetet dhe do të mbetet i përbashkët, punojmë të gjithë për prosperitetin e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë. Ndaj ju falenderoj përzemërsisht që jeni këtu dhe që do të angazhoheni bashkërisht me ne në diskutimet e këtyre dy ditëve”, përfundoi Manja./ata