Në prag të 7 marsit, shkolla 9-vjeçare “Skënder Libohova”, në Lushnjë, njëkohësisht shkolla më e madhe e ciklit fillor në qytet, hapi dyert për 700 nxënësit dhe mësuesit e saj, me infrastrukturë tërësisht të transformuar.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lushnjë, ku së bashku me ministren e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu dhe kryetaren e Bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa u ndal për të vizituar mjediset e reja të shkollës.

“E rindërtuar me standardet më të mira bashkëkohore, kapacitete të shtuara, bibliotekë, laboratorë të rinj e terrene sportive moderne, kjo shkollë siguron kushtet më të mira për 700 nxënës dhe mësues”, u shpreh Rama.

“Kjo është shkolla e rikonstruktuar “Skënder Libohova”, që ka një kapacitet mbi 600 nxënës, dhe ku falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Lushnjë tashmë është në kushtet më të mira dhe me standardet më të larta, klasa të shtuara” – u shpreh ministrja Manastirliu, teksa stoi se synimi është që shkolla të kthehet në një qendër komunitare.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës tha se me shtesën e re të godinës është eliminuar edhe mësimi me turne. “Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1960, ndërkohë që në këto vite kishte marrë vetën një lyerje dhe asgjë lloj rikonstruksioni. Duke qenë shkolla më e madhe e ciklit fillor, mësimin e zhvillonte pasdite, duke qenë se nuk i përmbushte kapacitetet si godinë. Ne me projektin e ri kemi bërë një shtesë të godinës nga 200 metër katrorë për secilin kat dhe në total shkon 851 metër katrorë për secilin kat të kësaj shkolle”, theksoi ajo.

Në këtë vit, përmes programit të rehabilitimit të shkollave dhe terreneve sportive të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve pushtetit vendor dhe së bashku me Programin e Rindërtimit, përfundon ndërtimi dhe rehabilitimi i 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin./ata