Në Valias, Kamzë ka hapur dyert çerdhja, kopshti dhe shkolla e re “Demokracia”, me standarde europiane.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli vizitoi mjediset e kësaj shkolle.
Rama tha se në bashkinë simbol të Rilindjes pas rrënimit, ka hapur dyert kompleksi i 38-të modern arsimor nën drejtimin këmbëngulës të Rakip Sulit dhe me mbështetjen e pandalur të qeverisë shqiptare.
“Shkolla “Demokracia”, kopshti dhe çerdhja e re në Valiasin e ri, sapo kanë hapur dyert për mbi 700 nxënës, fëmijë, mësues dhe edukatorë, në një kompleks të rindërtuar nga themelet, i shtrirë në 4,400 m2, me standarde europiane”, theksoi Rama.
“Kjo shkollë është një prej 38 objekteve arsimore që janë rindërtuar në bashkinë Kamzë. Për vitin 2024-2025 hapim kantieret për 40 shkolla, palestra dhe terrene sportive, ndërkohë që përfundojmë projektet sa i përket rindërtimit, por edhe me mbështetje të partnerëve tanë, 100 objekte arsimore në gjithë vendin brenda 2024”, tha ministrja Manastirliu.
“Për afrimin e kushteve të lehtësuara për studentët bashkia Kamzë është impenjuar që bashkë me universitetin të ketë ndërlidhje mes nxënësve të klasave të 12-ta dhe nxitjes për të studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës”, theksoi Manastirliu.
Kryetari i bashkisë së Kamzës Rakip Suli tha se kjo shkollë dhe jo vetëm, i përmbush të gjitha standardet e BE. “Falë mbështetjes së qeverisë sot shkolla “Demokracia” përmbush te gjitha standardet e Bashkimit Evropian. Kemi 155 fëmijë në këtë kopsht. Falë mbështetjes ne kemi sot 13 kopshte dhe çerdhe të ndërtuara me këtë standard. Kamza është bashkia e tretë sot në Shqipëri sot për numrin e nxënësve në shkollat e mesme dhe ka qenë e parë në investime”, – u shpreh ai.
“Nëse fjala rilindje ka një kuptim, 100 %, e ka në Kamzë”, – tha Kryeministri Rama gjatë vizitës në mjediset e shkollës.
Ky kompleks arsimor i shtrirë në 4400 m2, përfshin përveç shkollës 9-vjeçare “Demokracia” edhe kopshtin dhe çerdhe që tashmë kanë hapur dyert për 700 nxënës, fëmijë, mësues dhe edukatorë. Shkolla 9-vjeçare “Demokracia” është një investim i qeverisë shqiptare prej 380 milionë lekësh, një shkollë model, sipas të gjitha standardeve, me klasa komode dhe ambiente për laboratorë, bibliotekë, sallë aktivitetesh, auditor prej 180 vendesh, palestër, ambiente sportive e hapësira rekreative, në shërbim të gjithë komunitetit të zonës së Valiasit të ri të bashkisë Kamzë./ata