Rreth 18 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë apo me më pak se 45 euro në muaj sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën dhe për këtë arsye zhdukja e varfërisë është një nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Kështu u tha në edicionin e tretë të Forumit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP në bashkëpunim me Këshillin e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku u diskutuan me theks të veçantë katër objektivat e Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm: varfëria, shëndeti dhe mirëqenia, puna dhe rritja ekonomike si dhe veprimi për klimën.

Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të miratuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) në vitin 2015 janë një thirrje globale për veprim për t'i dhënë fund varfërisë, për të mbrojtur mjedisin dhe klimën e tokës dhe për të siguruar që njerëzit kudo që janë të mund të gëzojnë paqe dhe prosperitet.

Drejtori i INDEP-it, Burim Ejupi tha se qëllimi ka qenë që të futen në agjendë OZHQ-të si objektiv i Qeverisë apo shoqërisë që të përmbushen objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ejupi tha se nga përmbushja e objektivave përfiton populli i Kosovës, për arsye se këto objektiva të caktuara nga OKB-ja shërbejnë për rritjen e cilësisë së jetesës.

"Është një involvim i bizneseve, organizatave joqeveritare dhe Qeverisë që tregon se dëshirojmë që të gjithë bashkë t’i përmbushim këto zotime. Është për t'u përshëndetur iniciativa e Qeverisë, që për herë të parë ka marrë katër zotime, që na lehtëson punën edhe neve që ta monitorojmë ku po shkojmë, apo i arrijmë apo jo. Nuk do të thotë vetëm të monitorojmë por edhe të ndihmojmë", theksoi Ejupi.

Drejtori i Zyrës për Planifikim Strategjik nga Zyra e Kryeministrit, Vedat Sagonjeva tha se Kosova si vend ka qenë në proces të rishikimit të kornizës strategjike në këto dy-tre vitet e fundit dhe pjesa më e madhe e tyre është në harmoni me zotimet që janë në kuadër të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.

"Në kuadër të zotimeve të Qeverisë, është edhe zotimi për uljen e varfërisë që veç e kemi një projekt të Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me Bankën Botërore për reformimin e skemave sociale për t'u siguruar që targetohen pjesë më vulnerabël të shoqërisë", theksoi Sagonjeva.

Sipas raportit të INDEP-it, shkalla e lartë e varfërisë ekonomike paraqet problem të shumëfishtë sepse në njërën anë një numër të madh personash që punojnë do të duhet të mbështesin një numër të madh personash që janë ekonomikisht të varur dhe në anën tjetër Qeveria ka të ngjarë të ketë nevojë të rrisë numrin e sistemeve mbështetëse për të ndihmuar popullatën e varur./aa